Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar zyrtarisht rreth incidentit në të cilin është përfshirë deputeti Armend Zemaj sot, më 24.10.2025, në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Përmes një komunikate LDK ka thënë se Zemaj jo vetëm që është ofenduar dhe provokuar verbalisht, por edhe është përballur me sulm fizik ndaj tij. “Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit”- thuhet në reagimin e LDK-së.
Sipas kësaj partie, sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti. Përmes këtij reagimi, LDK ka shprehur solidaritet të plotë me Zemajn si dhe ka ftuar organet e rendit dhe ligjit të sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e sulmit.
“Për LDK-në, respekti ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është respekt ndaj vetë shtetit dhe ndaj rendit demokratik. Kultura e debatit, e respektit dhe e dinjitetit duhet të mbizotërojë në jetën publike, si garanci e paqes shoqërore dhe e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë”- thuhet ndër të tjera në komunikatë.

