Kliko këtu dhe merre FALAS
12.1 C
New York
Tuesday, October 28, 2025

Ekskluzive | Këta janë dy të arrestuarit në Prishtinë me mbi 2 kilogramë kokainë dhe mbi 12 mijë euro para të gatshme

Gazeta Sinjali sjell detajet ekskluzive nga operacioni i mbrëmshëm në Prishtinë, ku policia ka kapur një sasi të madhe të kokainës dhe ka arrestuar dy persona, njëri prej tyre shtetas i Malit të Zi.

Burimet e Sinjalit konfirmojnë se në pranga kanë përfunduar: Bakir Matoviq, rreth 46-vjeçar, shtetas i Malit të Zi, dhe Fehim Gashi, rreth 56-vjeçar, banor i Prishtinës.

Të dy u ndaluan mbrëmë rreth orës 22:15 në rrugën “Malush Kosova”, në lagjen Matiqan, gjatë një pike kontrolli të Njësisë së NJRSH-së.

Në momentin kur zyrtarët policorë i kërkuan dokumentet dhe kontrollin trupor, Bakir Matoviq fillimisht simuloi probleme shëndetësore, por më pas u përpoq t’u ikte policëve, duke rezistuar me forcë dhe duke tentuar t’i godasë.

Në ato çaste, nga trupi i tij – saktësisht nga pjesa e barkut – kanë rënë dy pako të mbështjella me ngjyrë të zezë me mbishkrim “777”, të mbushura me pluhur të bardhë që dyshohet të jetë kokainë.
Pesha totale e drogës rezultoi të jetë 2 kilogramë e 270.6 gramë, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur edhe 12 mijë e 550 euro para të gatshme.

Nga ana tjetër, te Fehim Gashi janë gjetur 1 mijë euro dhe një telefon celular, ndërsa më pas policia ka bastisur edhe banesën e tij në rrugën “Ismajl Dumoshi” në Prishtinë, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Në vendngjarje kanë dalë njësia e DHTN-së dhe Forenzika Rajonale, që kanë kryer fotografimin dhe sekuestrimin e provave materiale, ndërsa me urdhër të Prokurores nga Departamenti i Krimeve të Rënda, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria ka inicuar rastin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.”

Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rrjetin e mundshëm të shpërndarjes dhe lidhjet ndërkombëtare të të dyshuarve.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/

Kliko këtu dhe merre FALAS
Kliko këtu dhe merre FALAS