Kliko këtu dhe merre FALAS
4.5 C
New York
Sunday, March 1, 2026

Ministri Imri Demelezi përfaqëson Kosovën në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi në Berlin

Republika e Kosovës po merr pjesë në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi (GFFA), i cili po zhvillohet në Berlin dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore. Forumi mbledh liderë politikë, vendimmarrës, institucione financiare dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat globale dhe zgjidhjet e qëndrueshme në sektorin bujqësor.

Kosova po përfaqësohet nga delegacioni i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i udhëhequr nga Ministri z. Imri Demelezi. Gjatë tri ditëve të forumit, delegacioni kosovar do të prezantojë të arriturat dhe sfidat e vendit në bujqësi, si dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori kyç për ekonominë e vendit.

Forumi Global për Ushqim dhe Bujqësi shërben gjithashtu si platformë e rëndësishme për dialog ndërkombëtar, shkëmbim përvojash dhe ndërtim partneritetesh, me fokus të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe sigurinë ushqimore globale.

Prioritetet bujqësore të Kosovës në fokus të takimit me Bankën Botërore

Në kuadër të GFFA-së, Ministri Imri Demelezi zhvilloi një takim të veçantë me znj. Marianne Grosclaude, drejtoreshë globale në detyrë e Bankës Botërore. Gjatë këtij takimi u diskutua për mbështetjen e vazhdueshme dhe të ardhshme të Bankës Botërore në zhvillimin dhe forcimin e sektorit bujqësor në Republikën e Kosovës shkruan STOP Online

Fokusi i bisedimeve ishte orientuar drejt prioriteteve kryesore të zhvillimit bujqësor, përfshirë rritjen e kapaciteteve të sistemit të ujitjes, investimet në infrastrukturë bujqësore, rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së produkteve vendore, forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe avancimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

Znj. Grosclaude vlerësoi lart bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke theksuar se Banka Botërore mbetet e përkushtuar për ta thelluar edhe më tej këtë partneritet strategjik në funksion të fuqizimit të bujqësisë në Kosovë.

Ministri Demelezi theksoi se bashkëpunimi me Bankën Botërore është kyç për ndërtimin e një sektori bujqësor modern, të qëndrueshëm dhe të integruar në tregjet evropiane, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve afatgjata dhe reformave strukturore në këtë sektor.

Pjesëmarrja e Kosovës në GFFA dhe takimet e nivelit të lartë me partnerë ndërkombëtarë dëshmojnë angazhimin e institucioneve të vendit për ta pozicionuar bujqësinë si shtyllë të zhvillimit ekonomik dhe garant të sigurisë ushqimore për qytetarët e Republikës së Kosovës./STOP Online

Kliko këtu dhe merre FALAS