Bënë çmos për muaj me radhë për të mundur të prejnë një imazh të dëshiruar të pamjeve ku partitë ish-opozitare do të votonin, me detyrim të një aktgjykimi kushtetues, për një pjesëtar të komunitetit serb në Kuvend të Kosovës, nëntë nga dhjetë prej të cilëve ishin të Listës Serbe. Dhe këtë që ta plasonin për nevoja propagandistike te votuesit e tyre si dëshmi aleanceje të të gjithëve me Srpska-n. Diskursi partiak i Vetëvendosjes ishte kalibruar në atë drejtim: ish-opozita shenjë e barazimit me Listën Serbe. Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ia votoi propozimin e Vetëvendosjes për Nënkryetar serb të Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiqin, dhe kjo perspektivë u mbyll për Vetëvendosjen. Dy muaj Kuvendi i bllokuar për të zgjedhur Nenad Rashiqin, sot këtë të fundin e propozuan përsëri për Ministër të Komuniteteve, propozim që sërish do të ishte antikushtetues. Pas tetë muajsh kur truqet dhe marifete procedurale për të vonuar konstituimin e kuvendit mbaruan dhe u vu në veprim ora kushtetuese 15 ditore për zgjedhje të qeverisë, Albin Kurti u rrëzua, dhe u dëshmua se nuk i ka votat, dhe as afër shumicës së thjeshtë prej 61 votash për të votuar një qeveri në këmbë të drunjta, në mëshirën e 10 votave të pakicave jo-serbe, një serbe, dhe tre të Nismës Socialdemokrate. Mbërriu në 56 më së larti. Dhe, e drejta i tij si mandatar, u shpenzua. Diskursi që pasoi, ishte, sërish, “u bënë bashkë të gjithë me Listën Serbe”. Pafund grafikona të manipuluar u shpërndanë nëpër rrjete sociale se 52 votat kundër, ishin partitë ish-opozitare bashkë me Listën Serbe…
…
Ndriçimi i fundit i këtij diskursi erdhi nga Arbërie Nagavci, ish-Ministre e Arsimit, deputete e Vetëvendosjes se “u bënë të gjithë bashkë” me Listën Serbe.
“Sot, PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe, të gjithë bashkë, pamundësuan jetësimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve, pamundësuan formimin e Qeverisë Kurti 3. Ky është skenar që e kemi parë edhe më herët, kur u rrëzua Qeveria Kurti 1. Por, sa herë që përpiqen të na ndalin, ne dalim edhe më të fortë”, shkroi Nagavci.
Në këto nota, dhe të njëjtin variacion, shkroi edhe Albulena Haxhiu, Nënkryetare e Kuvendit, se Lista Sebre “ishte si gjithnë pranë tyre”, referuar partive ish-opozitare.
“Në Kuvend, Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi votimin e njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës. Lista Serbe, si gjithnjë, pranë tyre”, shkroi Haxhiu.
Mbështetës të zellshëm online të VV-së dhe profile të rreme i dhanë jehonë për ta zmadhuar përmbajtjen e këtij diskursi, se Lista Serbe u bë me të gjitha partitë ish-opozitare “për ta pamundësuar” një qeveri të Albin Kurtit.
Rrëzimi i Kurtit…
Albin Kurti i Vetëvendosjes u ekspozua sot që s’i ka numrat, anipse me sigurinë më të madhe shprehej për tetë muaj me radhë se i ka. Por, partitë opozitare “po më bllokojnë, pikërisht sepse i kam”, sado sfiduese për logjikën që mund të jetë kjo. Për herë të parë në histori të vendit dikush ia mësyu dhomës së përfaqësuesve të popullit të kërkojë votë nga partitë opozitare që t’ia vazhdojnë mandatin; anomali demokracie parlamentare kjo.
56 vota ishte fuqia e tij parlamentare dhe konsumoi të drejtën kushtetuese si mandatar për formim të qeverisë. Propozoi 20 ministri, çka dikur argumentonte se në qeveritë paraprake shërbenin vetëm për hajni. Seanca u mbyll, çështja kaloi te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të parë nëse do të ketë mandatar të ri që e bind atë se mund t’i grumbullojë 61 vota për qeveri të re, qoftë nga blloku ish-opozitar, ose edhe nga vetë Vetëvendosja sërish.
Lumir Abdixhiku i LDK-së ka çuar porosi se sa për LDK-në, dhe bllokun ish-opozitar me pjesëmarrje të vet, Vjosa Osmani mund të konstatojë “qysh të dielën” se s’ka shumicë, se mund të shpërbëhte kuvendi dhe të shpallen zgjedhje të reja.
