Lista Serbe është certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 28.12.2025.
Ky çertifikim i subjektit politik erdhi pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e tyre kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Ndryshohet vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr. protokolli 01/3562/2025, datë 02.12.2025, ashtu që pranohet rekomandimi i Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 02.12.2025, çertifikohet subjekti politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
” – thuhet në vendimin e PZAP, më 05.12.2025.
Lista Serbe u ankua më 03.12.2025 në PZAP, një disa pas vendimit të KQZ-së që ky subjekt politik të mos certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme.
Kurse, më 02.12.2025, Zyra për Regjistrim, Konfirmim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRKKFSP) ka dhënë rekomandimin ku konstaton se subjekti politik Lista Serbe paraqiti dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat përkatëse të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe se si parti e regjistruar, parlamentare, plotësoi të gjitha kriteret ligjore për konfirmimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në ankesën e tyre, PZAP thotë se Lista Serbe ka parashtruar se KQZ ka shkelur nenin 45 të Kushtetutës së Kosovës, i cili parashikon në vijim: Neni 45 E drejta për të zgjedhur dhe për të marrë pjesë: “Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjet, madje edhe në ditën e zgjedhjeve, ka e drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, përveç nëse kjo e drejtë kufizohet me vendim të gjykatës.
” “Me normat kushtetuese të cituara më sipër, rregullohet е drejta aktive dhe pasive e votimit dhe me të parashikohet se kushdo që ka mbushur 18 vjeç ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje si zgjedhës, të zgjedhë, që është komponenti aktiv i kësaj të drejte, ose të zgjidhet, që do të thotë të kandidojë në zgjedhje që është komponenti pasiv i kësaj të drejte.”- ka shtuar PZAP.
PZAP ka theksuar se konfirmimi i subjektit politik nuk është çështje vullneti të mirë i ndonjë anëtari të Komisionit Qendror Zgjedhor, por detyrim ligjor i çdo anëtari të Komisionit Qendror Zgjedhor të konfirmojë çdo subjekt politik që ka plotësuar kushtet e parashikuara me ligj. “Dhe veprimi i anëtarit të Komisionit Qendror Zgjedhor duhet të jetë i çliruar nga ndikimi politik, por i bazuar në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, imparcialitetit dhe profesionalizmit.” – thuhet më tej në vendim të PZAP.
Në anën tjetër, më 02.12.2025, dy duar të ngritura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, u regjistruan si vota kundër certifikimit të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen vetëm tri ditë para përfundimit të 2025-ës.
Dhe vullneti i tyre u përmbushë atë ditë. Si rezultat i abstenimit të përfaqësuesve të partive të tjera në KQZ, e që e përbënin shumicën- kjo parti nuk e mori “vizën” për t’i hyrë garës zgjedhore.
Kjo ishte hera e tretë brenda një viti që dora e Sami Kurteshit dhe ajo e Alban Krasniqit u ngritën për moslejimin e partisë më të madhe serbe në Kosovë që të përfshihet në listën e subjekteve garuese në zgjedhje: herën e parë për zgjedhjet e mbajtura më 09.02.2025, dhe herën tjetër për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12.10.2025.
