Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të mërkurën për herë të parë në mandatin e tij të ri i vendosi Rusisë sanksione që lidhen me çështjen e Ukrainës, duke i vënë në shënjestër kompanitë e naftës, “Rosneft” dhe “Lukoil”, përderisa zemërimi i tij ndaj homologut rus, Vladimir Putin, për luftën në Ukrainë po shtohet.
Departmaneti i Thesarit i ShBA-së, i cili i lëshoi sanksionet, tha se është i përgatitur për të ndërmarrë veprime të mëtejme dhe i bëri thirrje Moskës që menjëherë të pajtohet për armëpushim në luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Duke e marrë parasysh refuzimin e presidentit Putinit për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Thesari do t’i sanksionojë dy kompanitë më të mëdha ruse të naftës që e financojnë makinerinë e luftës së Kremlinit” – tha në një deklaratë sekretari i Thesarit i ShBA-së, Scott Bessent.
“Ne i inkurajojmë aleatët tanë që të na bashkohen dhe t’u përmbahen këtyre sanksioneve” – shtoi ai.
