Një rast i rëndë dhunimi ndaj një të miture është zbardhur nga Policia në Podujevë, ku si i dyshuar është arrestuar Mërgim Havolli, rreth 37-vjeçar nga fshati Llapashticë e Epërme.
Sipas të dhënave, viktima A.H., rreth 16-vjeçare është intervistuar më 24 dhjetor 2025 në prani të Njësisë për Hetimin e Krimeve, NJHP-së dhe zyrtares së QPS-së, ku ka deklaruar se është dhunuar seksualisht nga i dyshuari në disa periudha kohore ndër vite.
Rasti i fundit, sipas deklarimit të viktimës, ka ndodhur më 19 dhjetor 2025 rreth orës 18:00.
Pas veprimeve hetimore, Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhunim”.
Rasti pritet të trajtohet më tej nga Njësia për Hetimin e Krimeve ndaj të Miturve, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/
