Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, është arsyetuar pasi u pyet lidhur me mungesën e numrave për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.
“Kryeministri ka thënë ‘më testoni’, sepse zakonisht akuza ka qenë se kryeministri Kurti po e zvarrit Kuvendin”.
“Dhe pikërisht ata që po e zvarrisnin Kuvendin, akuzonin se kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po e zvarrisin procesin, meqë, sipas tyre, nuk i kanë numrat dhe po duan ta shtyjnë në pafundësi”, tha Murati para gazetarëve kur u pyet nga VoxKosova.
Ai theksoi se duhet bërë dallimi i qartë mes dy fazave të procesit politik: konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.
“Nëse keni qenë të kujdesshëm, unë vazhdimisht kam paralajmëruar dhe kam thënë se ne duhet t’i ndajmë këto dy procese”.
“Njëri është procesi i Kuvendit, për të cilin do të duhej të votonin të gjitha subjektet parlamentare, sepse është obligim i të gjithë deputetëve ta konstituojnë Kuvendin. Kjo ka qenë pjesa e parë”.
/GazetaSinjali/
