Kllokot – Sahit Hetemi, banor i fshatit Mogillë në komunën e Kllokotit, ka bërë publike synimin e tij për të kandiduar për pozitën e Nënkryetarit të Komunitetit Shqiptar në këtë komunë. Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Hetemi ka kërkuar mbështetjen e komunitetit shqiptar, si dhe përkrahjen e partive politike që veprojnë në zonë.
Në kërkesën e tij publike, ai u ka bërë thirrje subjekteve politike shqiptare për unitet dhe bashkëpunim, duke përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Iniciativën Qytetare për Mogillën (IQM).
Hetemi theksoi se kandidimi i tij bazohet në vullnetin për të kontribuar me ndershmëri dhe përkushtim në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Kllokot, si dhe në forcimin e përfaqësimit të tyre në institucionet lokale.
“Qëllimi im është të punoj me ndershmëri, përgjegjësi dhe angazhim maksimal për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar. Besoj se vetëm përmes unitetit dhe bashkëpunimit të sinqertë mund të ndërtojmë një përfaqësim dinjitoz dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë,” ka deklaruar ai.
Sipas Hetemit, bashkëpunimi ndërmjet partive dhe komunitetit është kyç për forcimin e zërit shqiptar në këtë komunë me përbërje të ndjeshme etnike. Ai ka shprehur gatishmërinë për të punuar në frymë institucionaliste dhe për të përfaqësuar interesat e qytetarëve pa dallim politik.
Kandidatura e tij pritet të ngjallë diskutime brenda komunitetit shqiptar në Kllokot, veçanërisht në prag të rritjes së kërkesave për përfaqësim më efektiv në nivel lokal.
Postim i plotë:
KËRKESË PËR MBËSHTETJE
Unë, Sahit Hetemi, nga fshati Mogillë, komuna e Kllokotit, shpreh publikisht vullnetin dhe përkushtimin tim për të kandiduar për Nënkryetar i Komunitetit Shqiptar në komunën e Kllokotit.
Me respekt të veçantë, kërkoj mbështetjen e komunitetit shqiptar, si dhe përkrahjen e partive dhe subjekteve politike shqiptare që veprojnë në Kllokot, përfshirë:
• Lëvizja Vetëvendosje (LVV)
• Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
• Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
• Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
• Iniciativa Qytetare për Mogillën (IQM)
Qëllimi im është të punoj me ndershmëri, përgjegjësi dhe angazhim maksimal për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar, si dhe për forcimin e zërit tonë në institucionet lokale.
Besoj se vetëm përmes unitetit dhe bashkëpunimit të sinqertë, mund të ndërtojmë një përfaqësim dinjitoz dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë.
Me respekt,
Sahit Hetemi
Ka shkruar Hetemi në rrjetin e tij social “Facebook”
/STOP Online
